Një kompani që kërkon të prodhojë në Shqipëri mish të kultivuar nga qeliza shtazore mund të marrë miratim nga autoritetet shqiptare edhe kur produkti nuk ka një autorizim të vlefshëm në Bashkimin Europian. Këtë mundësi parashikon projektligji “Për ushqimin”, të cilin Ministria e Bujqësisë e nxori për konsultim publik më 18 nëntor. Për çdo produkt, prodhimi dhe shitja në këtë rast do të kërkonin vlerësim të sigurisë dhe autorizim paraprak.

Neni 31 përfshin te “ushqimet e reja” edhe produktet e përftuara nga kultura qelizore ose indore të kafshëve. Këtu hyn mishi i kultivuar në laborator. Për të kuptuar si mund të mbërrijë një produkt i tillë në tregun shqiptar, neni 32 dallon dy raste.

Nëse produkti është autorizuar në BE, komisioni shqiptar verifikon miratimin europian, përfshirjen e produktit në listën e ushqimeve të lejuara dhe respektimin e kushteve të autorizimit. Pas këtij verifikimi, komisioni lëshon një akt konfirmimi. Kompania nuk ka nevojë të aplikojë për një autorizim të dytë.

Nëse produkti do të prodhohet në Shqipëri dhe ende nuk ka autorizim europian, vendimin e merr komisioni shqiptar. Për të dhënë lejen, ai duhet të marrë parasysh vlerësimin shkencor të rrezikut dhe të verifikojë nëse produkti përmbush kriteret europiane të sigurisë të përfshira në legjislacionin shqiptar.

Konsultimi publik qëndron i hapur deri më 21 dhjetor. Nëse projektligji miratohet në formën e propozuar, rregullat për ushqimet e reja do të zbatohen nga 1 gushti 2028. Kjo datë shënon fillimin e procedurave të autorizimit. Koha kur një produkt mund të dalë në shitje varet nga miratimi që do të marrë.

Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, kërkon tërheqjen e projektligjit. Sipas tij, hapja e tregut për mishin e kultivuar do të shtonte presionin mbi blegtorët. Ai argumenton se fermerët vendas do ta kishin të vështirë të konkurronin me produkte që, sipas tij, do të kushtonin më pak. Vasili përmend ndalimet e miratuara nga Italia dhe Hungaria dhe shpreh shqetësim për efektet afatgjata në shëndet. Në reagimin e tij, ai i kërkon qeverisë të rrisë subvencionet për blegtorinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu