
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputeti Erion Braçe prezantuan sot në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet projektligjin “Për Donacionet dhe Sponsorizimet”, një nismë që synon të krijojë mekanizma të rinj stimulues për përfshirjen e biznesit në financimin e sportit, artit dhe kulturës.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se sporti shqiptar ka nevojë për burime të qëndrueshme financimi dhe se mbështetja nuk mund të mbështetet vetëm te fondet e buxhetit të shtetit. Sipas tij, projektligji synon të krijojë një partneritet më të fortë mes shtetit, biznesit dhe shoqërisë, duke e kthyer potencialin e sektorit privat në investime konkrete.
Një nga propozimet kryesore të nismës është që shuma e sponsorizuar për veprimtari në fushën e sportit, artit dhe kulturës të zbritet drejtpërdrejt nga detyrimi për tatimin mbi fitimin, deri në masën 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës fiskal.
Balla solli si shembull investimet në stadiumet “Air Albania”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe stadiumin e Kukësit, duke nënvizuar se partneriteti publik-privat ka ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe në organizimin e eventeve të rëndësishme ndërkombëtare në Shqipëri. Ai përmendi finalen e UEFA Conference League në vitin 2022 dhe organizimin e Kampionatit Europian U21 në verën e vitit të ardhshëm.
Duke u ndalur te nevojat e klubeve dhe federatave sportive, Balla theksoi se financimi duhet të mbulojë jo vetëm ekipet e para, por edhe akademitë dhe ekipet e moshave, nga fëmijët 6-vjeçarë deri te grupmoshat U21. Ai veçoi gjithashtu zhvillimin e futbollit të vajzave dhe nevojën për investime në trajnerë dhe infrastrukturë.
“Sportin nuk duhet ta konsiderojmë thjesht si një aktivitet privat, por si një aktivitet publik”, u shpreh Balla, duke argumentuar se aktivitetet sportive janë pjesë e rëndësishme e jetës së komuniteteve në të gjithë vendin.
Ai theksoi se sponsorizimi nuk duhet parë si një akt bujarie, por si pjesë e një modeli të qëndrueshëm bashkëpunimi. Sipas Ballës, sporti është gjithashtu një instrument i rëndësishëm për përfshirjen e të rinjve në aktivitete të shëndetshme dhe për t’i mbajtur ata larg veseve dhe problematikave të moshës.
Në fjalën e tij, Balla përmendi edhe modelin hungarez të financimit të sportit, të njohur si skema TAO, si një prej modeleve ku është mbështetur hartimi i nismës.
Balla bëri të ditur se propozimi i deputetëve Taulant Balla dhe Erion Braçe ka gjetur përputhje në pjesën më të madhe të tij me variantin e qeverisë, ndërsa disa elemente, përfshirë kuotat dhe kufijtë financiarë të sponsorizimeve, do të diskutohen gjatë shqyrtimit në komision, me synimin për të paraqitur një variant të plotë në seancë plenare.
Projektligji synon të krijojë një mekanizëm të ri fiskal për të nxitur kontributin e biznesit në zhvillimin e sportit, artit dhe kulturës, duke zgjeruar burimet e financimit përtej mbështetjes publike.






