Një sulm kibernetik ka shpërndarë kod keqdashës përmes faqeve të 178 organizatave, mes tyre CNN, BBC, Zoom, IKEA dhe HSBC, duke shënjestruar të dhënat e pagesave dhe pajisjet e vizitorëve.

Sipas hetimit të publikuar nga studiuesi Scott Helme dhe kompania Report URI, sulmuesit përdorën platformën Optimizely, një shërbim që faqet e internetit shfrytëzojnë për të testuar ndryshime dhe përmirësuar përvojën e përdoruesve.

Kodi i dëmshëm u fut në elemente që faqet i ngarkonin nga ky shërbim. Kjo bëri që vizitorët të ekspozoheshin gjatë përdorimit të faqeve të njohura, përmes një komponenti të jashtëm.

Programi synonte zëvendësimin e adresave të pagesave në kriptomonedha me adresa të kontrolluara nga sulmuesit, marrjen e të dhënave të kartave bankare dhe vjedhjen e informacioneve të sesioneve. Në pajisjet iPhone dhe iPad shpërndaheshin gjithashtu mjete që shfrytëzojnë dobësi të sistemit iOS.

Studiuesit identifikuan 188 fragmente të infektuara kodi. Sipas kontrollit të tyre, deri në mbrëmjen e 16 nëntorit vetëm një prej këtyre fragmenteve vazhdonte të përmbante kodin keqdashës.

Megjithatë, pastrimi i faqeve nuk përcakton shkallën e dëmit të shkaktuar më parë. Reuters raportoi se nuk kishte mundur të verifikonte në sa raste sulmi kishte pasur sukses apo sa përdorues ishin prekur.

Salesforce njoftoi se po hetonte ndryshime të paautorizuara dhe kishte çaktivizuar komponentët përkatës si masë paraprake.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu