
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër përmes një videomesazhi ndaj raportimeve se po negocion me kryeministrin Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë, duke hequr dorë nga gara për Bashkinë e Tiranës.
Në reagimin e titulluar “Po tani?!”, Braçe denoncon atë që e quan një fushatë pesëditore mediatike, gjatë së cilës është përfolur për një marrëveshje politike mes tij dhe Ramës.
“Pesë ditë me radhë; Braçe në pazar me Ramën: Merr Bujqësinë meqë e ke merak dhe ik nga Bashkia e Tiranës!”, shprehet deputeti socialist, duke iu referuar raportimeve në media.
Braçe thotë se lajmet janë shpërndarë masivisht në portale dhe rrjete sociale, duke u shoqëruar me linçim publik.
Ai kundërshton kategorikisht pretendimet për pazare personale, duke kujtuar mbështetjen që ka marrë nga zgjedhësit gjatë karrierës së tij politike.
“Ato 25 mijë votat në qarkun Tiranë e diasporë, 19.300 votat në Bashkinë Tiranë, mijëra vota mbledhur në zgjedhje të drejtpërdrejta në 30 vite, s’i kam këmbyer kurrë në pazar personal!”, deklaron Braçe.
Deputeti socialist thekson se postet politike nuk kanë qenë asnjëherë qëllim në vetvete për të.
“Nuk kanë qenë, nuk janë, nuk do jenë kurrë nevoja të miat karriget! Gjithë jetën ia kam kushtuar punës, po puna është nevojë e imja, atë dua, punën!”, shprehet ai.
Në fund të videomesazhit, Braçe përdor tone të ashpra ndaj atyre që përhapin lajmet për marrëveshje politike, duke drejtuar akuza edhe ndaj individëve brenda Partisë Socialiste.
“Hani pazaret e mbusheni gojën plot, siç hani dhe paratë e pisave – disa edhe në PS!”, përfundon Braçe.
Reagimi vjen mes diskutimeve për kandidaturat e mundshme për Bashkinë e Tiranës dhe ndryshimet në qeveri.






