Një përplasje e fortë verbale ka ndodhur mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe gazetares së News24, Klodiana Lala, gjatë deklaratës së tij për mediat pas daljes nga Prokuroria e Posaçme.

Berisha ishte thirrur këtë të enjte, 12 nëntor, në SPAK për t’u marrë në pyetje në cilësinë e kallëzuesit, lidhur me çështjen e gjyqtares Irena Gjoka dhe pretendimet për fshehjen e një dënimi nga drejtësia greke.

Por konferenca me gazetarët u shoqërua me tensione, pasi Lala i kërkoi kreut demokrat të sqaronte nëse kishte dorëzuar dokumente të reja në Prokurorinë e Posaçme dhe cilat media po akuzonte se mbronin persona të caktuar.

“Unë ato dokumente që kam pasur, i kam dorëzuar në padinë që kam bërë”, iu përgjigj fillimisht Berisha.

Berisha sulmon gazetaren: Je e keqpërdorur në shkallë ekstreme

Kur gazetarja kërkoi sqarime për akuzat ndaj mediave, Berisha iu drejtua personalisht asaj, duke e akuzuar se përdorej për shpërndarjen e informacioneve.

“Ke lënë përshtypjen, jo media, po Klodiana, ka lënë përshtypjen me ca informacione që funksionon si një enë sifon e informacioneve”, deklaroi ai.

Lala reagoi menjëherë, duke e pyetur përse kreu demokrat sulmonte gazetarët sa herë që përballej me pyetje të pakëndshme.

“Na e shpjego pak, zoti Berisha, se kur ju djeg, ju gjithmonë gjeni një vend ku të gjuani?”, e pyeti gazetarja.

Berisha vijoi akuzat, duke i kërkuar të tregonte burimet e informacioneve që publikon.

“Ti që hiqesh si informante e këtyre se ke të dhëna, kush t’i jep të dhënat ty që i nxjerr ti?”, tha ai.

“Unë jam gazetare, zotëri. Mund të jeni edhe ju një prej atyre që më informojnë”, iu përgjigj Lala.

“Nga unë nuk merr kurrë ti informacione. Pse nuk merr ti kurrë informacione nga unë? Se ti je e keqpërdorur. Kaq. Vetëm kaq”, deklaroi Berisha.

Më pas, kreu demokrat e ashpërsoi edhe më tej gjuhën.

“Ti je e keqpërdorur. E keqpërdorur në shkallë ekstreme. Klodiana Lala është një person që keqpërdoret në mënyrë të pamëshirë”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se përgjegjësinë për këtë, sipas tij, e mbanin personat që pretendonte se ndikonin mbi gazetaren.

“Ti je një nga gazetaret më të keqpërdorura, zonjë, dhe nuk ka përgjegjësi as Sali Berisha, as opozita. Gjeje vetë përgjegjësinë”, tha kreu i PD-së.

Klodiana Lala: Balta e politikës së vjetër mua nuk më bën pis

Gazetarja e News24 nuk i pranoi akuzat dhe i cilësoi deklaratat e Berishës si sulme personale.

“Jam mësuar me sulme nën brez, sidomos nga politika”, u shpreh ajo gjatë debatit.

Më pas, Lala theksoi se mban përgjegjësi publike për punën dhe deklaratat e saj.

“Jam përpara opinionit publik dhe mbaj përgjegjësi për çdo fjalë që them. Balta e politikës së vjetër mua nuk më bën pis”, deklaroi gazetarja.

Berisha iu përgjigj me ironi: “Bravo, ti je fytyra e re e gazetarisë”.

“Jam që ç’ke me të”, ia ktheu Lala, përpara se t’i rikthehej pyetjes fillestare për dokumentet e dorëzuara në SPAK.

“A dorëzuat sot dokumente si kallëzues?”, e pyeti sërish.

“Kam dorëzuar të gjitha dokumentet në kohën e duhur dhe kaq. Stop!”, përfundoi Berisha, duke mbyllur shkëmbimin e tensionuar.

Pse u thirr Berisha në SPAK?

Kryetari i PD-së u paraqit në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për kallëzimin ndaj gjyqtares Irena Gjoka.

Partia Demokratike pretendon se gjyqtarja nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të pretenduar në Greqi.

Gjoka i ka kundërshtuar këto pretendime, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni për ndonjë proces penal apo vendim gjyqësor ndaj saj në shtetin grek.

Në muajin maj, Gjykata e Posaçme nuk pranoi kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve dhe vendosi kthimin e dosjes për plotësim.

Berisha, i cili është marrë i pandehur në çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, ka qenë vazhdimisht kritik ndaj Gjokës, gjyqtares që ka shqyrtuar procedurat paraprake të kësaj dosjeje.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu