
Gjashtë vite pas arrestimit dhe dërgimit në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa vëmendja në Kosovë është përqendruar te beteja ligjore në Apel, pas dënimit të tyre me gjithsej 81 vite burg nga shkalla e parë.
Më 5 nëntor janë mbushur plot 72 muaj nga paraburgosja e katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vendimi i shkallës së parë, i dhënë rreth dy muaj më parë, ka nxitur reagime politike e qytetare dhe nisma institucionale për mbështetjen e mbrojtjes së tyre.
Qeveria krijon grup të posaçëm për Apelin
Qeveria e Kosovës ka themeluar një Grup Punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit.
Grupi zhvilloi takimin e parë konstituiv javën e kaluar, ndërsa mbledhja e radhës është parashikuar për të shtunën.
Zëvendëskryeministri Glauk Konjufca ka deklaruar se puna e grupit do të zhvillohet në mënyrë konfidenciale, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe objektivave që synohen.
“Qëllimi është që me e fituar rastin, me e fituar rastin në procesin e apelit”, deklaroi Konjufca, duke theksuar se diskutimet kanë rëndësi si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Paralelisht, ekzekutivi ka përmendur edhe mundësinë e rritjes së buxhetit për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së.
Çitaku: Historia e UÇK-së nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar në përvjetorin e gjashtë të paraburgimit, duke deklaruar se procesi gjyqësor ka vënë në pikëpyetje historinë e UÇK-së dhe rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Por historia jonë nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë. Dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim!”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka përmendur përgatitjen e strategjisë shtetërore dhe përpjekjet për ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale.
Djali i Jakup Krasniqit: U dënuan për postet politike
Në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.
Ai pretendoi se katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë dënuar për shkak të funksioneve politike që kanë mbajtur gjatë luftës.
Sipas tij, vendimi synon të njollosë objektivat e UÇK-së, të cilat ai i identifikoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndryshimet në ligjin për Specialen rikthehen në Kuvend
Vendimi i shkallës së parë, që parashikon gjithsej 81 vite burg për katër ish-krerët e UÇK-së, u pasua me reagime qytetare dhe një nismë të PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Megjithëse ndryshimet u miratuan, ato u kthyen në Kuvend për rishqyrtim, me kërkesë të vetë PDK-së.
Ndërkohë, mbajtja e gjatë në paraburgim, refuzimi i kërkesave për masa alternative sigurie dhe kohëzgjatja e procesit gjyqësor vijojnë të jenë ndër çështjet që kanë nxitur debat në Kosovë.
Pas gjashtë vitesh paraburgim dhe një vendimi dënimi në shkallën e parë, procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit hyn në një tjetër fazë, me vëmendjen e institucioneve dhe opinionit publik të përqendruar te shqyrtimi në Apel.






