Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj Progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për problematikat e evidentuara në funksionimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe institucioneve.

Edhe pse Komisioni Europian ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit dhe rezultatet e SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë, Berisha e cilësoi raportin si një dokument që, sipas tij, dëshmon përkeqësimin e standardeve demokratike në vend.

“Shqipëria, diktaturë autoritare krahasuar me Malin e Zi”

Në deklaratën e tij, lideri i opozitës pretendoi se përgjegjësia për problemet e identifikuara nga Brukseli bie drejtpërdrejt mbi kryeministrin.

“Nga alfa te omega, Padrinoja i Shqipërisë rezulton përgjegjës kryesor për të gjitha konstatimet e rënda të Komisionit Evropian për Shqipërinë këtë vit”, deklaroi Berisha.

Ai e cilësoi raportin si të paprecedent dhe kërkoi që gjetjet për Shqipërinë të krahasohen me ato për Malin e Zi.

“Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi dhe do të gjejë se Shqipëria krahasuar me Malin e Zi është një diktaturë autoritare”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha: BE kërkon 115 ndryshime, disa prej tyre urgjente

Sipas Berishës, Komisioni Europian kërkon nga Shqipëria 115 ndryshime gjatë vitit të ardhshëm, mes të cilave ai veçoi reformën zgjedhore, rikthimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, si dhe ndryshimet në prokurimet publike.

“Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm”, tha ai.

Berisha përmendi gjithashtu nevojën për ndalimin e dëmtimit të zonave të mbrojtura, duke i renditur këto çështje mes problemeve që, sipas tij, kërkojnë ndërhyrje urgjente.

“Me Edi Ramën nuk ka të ardhme europiane”

Kreu i demokratëve deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme europiane me Ramën në krye të qeverisë.

“Me këtë raport, të ardhme evropiane nuk ka me Edi Ramën sepse ai është shkaku i të gjitha këtyre problemeve, një pjesë e të cilave nuk kanë qenë në raportin e kaluar”, deklaroi Berisha.

Ai kritikoi edhe drejtimin e mundshëm të reformës administrativo-territoriale, duke pretenduar se një reformë që synon centralizimin do të binte ndesh me Kushtetutën dhe parimet europiane të demokracisë vendore.

“Në qoftë se një projekt për reformën administrative territoriale shkon drejt parimit të centralizimit, ky projekt është antikushtetues”, tha ai.

Akuza për kontrollin parlamentar dhe Komisionin e Integrimit

Berisha ngriti gjithashtu akuza për mënyrën e organizimit të komisioneve parlamentare, duke kritikuar kalimin e drejtimit të Komisionit të Integrimit nga opozita te mazhoranca.

Sipas tij, ky zhvillim lidhet me shqetësimet për funksionimin e kontrollit parlamentar ndaj qeverisë.

Deklaratat e kreut të PD-së vijnë një ditë pas publikimit të Progresraportit të Komisionit Europian, i cili vlerëson përparimin e Shqipërisë drejt BE-së, por evidenton edhe shqetësime për funksionimin e demokracisë dhe mbikëqyrjen parlamentare.

Ndërsa qeveria e ka paraqitur raportin si një dëshmi të përparimit të vendit drejt anëtarësimit, opozita ka zgjedhur të përqendrohet te problematikat e identifikuara nga Brukseli.

r

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu