
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave të forta të Erion Veliajt, i cili nga burgu ka pretenduar se është kërcënuar dhe se ndaj tij është ushtruar presion për të hequr dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
I pyetur gjatë konferencës së përbashkët me ambasadoren e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, Rama zgjodhi të mos u përgjigjej drejtpërdrejt pretendimeve të kryebashkiakut, por i krahasoi ato me zhurmat e makinave që kalojnë në bulevard.
“Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”, deklaroi kryeministri.
Akuzat e Veliajt, Rama i konsideron të parëndësishme
Reagimi vjen pas pretendimeve të Veliajt se kryeministri ka ushtruar presion ndaj tij përmes ministrit Toni Gogu, duke i kërkuar të largohet nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe duke e lidhur me protestat e zhvilluara kundër qeverisë.
Rama nuk dha shpjegime për këto pretendime dhe nuk komentoi në mënyrë të veçantë akuzat për ndërhyrje në drejtësi.
Në vend të kësaj, ai e përqendroi përgjigjen te puna e qeverisë dhe procesi i integrimit europian.
“Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë”, tha Rama.
“Raporti i progresit është dëftesa e qeverisë”
Kryeministri e cilësoi progresraportin e Komisionit Europian si vlerësimin më të mirë që Shqipëria ka marrë deri më sot.
Sipas tij, raporti pasqyron përparimin e vendit dhe punën e qeverisë në procesin e integrimit.
“Raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se Shqipëria ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Objektivi i përfundimit të negociatave deri në fund të vitit 2027, sipas kryeministrit, është ambicioz, por i arritshëm.
Megjithatë, Rama sqaroi se udhërrëfyesi i Komisionit Europian nuk përcakton një datë anëtarësimi në BE.
Ambasadorja e BE-së: Korrupsioni mbetet sfidë, dhuna nuk ka vend në protesta
Në konferencë, ambasadorja e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt integrimit, por theksoi se vendi përballet ende me sfida të rëndësishme.
Ajo veçoi luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe lirinë e medias.
Sipas ambasadores, raporti evidenton një klimë politike të polarizuar, mungesë transparence në financimin e medias dhe nevojën për hetimin e rasteve të përdorimit të forcës policore ndaj gazetarëve.
Duke iu referuar protestave, De Sousa theksoi se manifestimet paqësore janë pjesë e jetës demokratike, ndërsa reagimi i institucioneve ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin.
“Dhuna nuk ka vend në jetën demokratike. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes dialogut të mirëfilltë”, deklaroi ajo.
Nga ana e tij, Rama pranoi se raporti ngre shqetësime për funksionimin e institucioneve, median dhe mjedisin, duke theksuar se shumica qeverisëse ka detyrimin të garantojë dialogun.
Konferenca e 5 nëntorit u zhvillua pas dorëzimit të progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, në një moment kur debati politik është përqendruar edhe te përplasja mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës.






