
Kryeministri Edi Rama e cilësoi Raportin Vjetor të Progresit të Komisionit Europian një moment krenarie për Shqipërinë, duke deklaruar se vendi ka marrë vlerësimin më të lartë deri më sot.
Në një reagim në platformën X, Rama e përshkroi raportin si një “dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese” dhe një tjetër hap drejt objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Megjithatë, kryeministri theksoi se detyrat mbeten të shumta, ndërsa koha në dispozicion të kalendarit të ngjeshur të negociatave po bëhet gjithnjë e më e kufizuar.
Rama nënvizoi se vlerësimi i Komisionit Europian nuk i zvogëlon problematikat e jetës së përditshme të qytetarëve. Sipas tij, këto çështje do të vijojnë të kenë vëmendjen e qeverisë dhe të shumicës parlamentare.
“Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë”, shkroi ai.
Kryeministri e konsideroi këtë një moment optimal për rrugëtimin europian të vendit, duke theksuar se dera e BE-së është e hapur dhe mundësia e anëtarësimit më reale se kurrë. Në këtë kontekst, ai bëri thirrje për tejkalimin e përçarjeve.
“Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj”, u shpreh Rama.






