
Nadir Rossi, 35 vjeç, dyshohet se vrau bashkëshorten Jessica Dalla Chiara, 32 vjeçe, dy vite më parë në Bussolengo, pranë Veronës. Një nga detajet që ka ndihmuar hetuesit të zbulojnë sjelljen e tij manipuluese ka qenë dëshmia e të dashurës, me të cilën infermieri kishte një lidhje jashtëmartesore që prej vitit 2022.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, gruaja u kishte treguar hetuesve se kishte marrë një email në emër të Jessicës, disa ditë pasi kjo e fundit kishte ndërruar jetë.
Emaili misterioz nga gruaja e vdekur
Në mesazhin e dyshimtë, që paraqitej sikur ishte shkruar nga Jessica, thuhej se ajo e dinte se nuk do t’ia dilte të mbijetonte.
Mesazhi i kërkonte të dashurës së burrit të kujdesej për Nadirin dhe vajzën e çiftit.
“Ti e admiron dhe ke besim të plotë tek ai. Shpresoj që të kujdesesh për ta me gjithë zemër”, thuhej ndër të tjera në email.
Por e dashura dyshoi menjëherë.
Ajo e dinte se Jessica nuk kishte dijeni për marrëdhënien e tyre jashtëmartesore. Për më tepër, mesazhi përmbante gabime gramatikore që i dukeshin të pazakonta.
E bindur se emaili ishte shkruar nga Nadiri, gruaja vendosi ta vinte në provë.
Ajo i tha se policia kishte zbuluar që mesazhi ishte dërguar prej tij, megjithëse kjo nuk ishte e vërtetë.
Përballë këtij pretendimi, 35-vjeçari pranoi se e kishte shkruar vetë emailin.
Sipas dëshmisë së të dashurës, ai e justifikoi veprimin duke thënë se donte të afrohej përsëri me të, pasi ajo ishte distancuar pas vdekjes së Jessicës.
Fotoja e rreme e atentatit, e krijuar me inteligjencë artificiale
Hetimet zbuluan edhe një tjetër episod të pazakontë.
Nadir Rossi i kishte treguar të dashurës se kishte qenë dëshmitar i vrasjes së një miku dhe se më pas kishte mbetur edhe vetë viktimë e një sulmi me armë zjarri.
Për ta bindur, ai i kishte dërguar një fotografi ku shfaqej i intubuar në një shtrat spitali në Padova.
Por verifikimet e hetuesve nuk zbuluan asnjë shtrim në spital për plagë me armë zjarri.
Sipas dokumenteve hetimore, fotografia ishte krijuar me inteligjencë artificiale.
Hetuesit zbuluan gjithashtu se infermieri kishte përdorur teknologjinë për kërkime mbi hipogliceminë dhe mënyrën se si ulja e sheqerit në gjak mund të shkaktojë vdekjen.
E dashura i kërkoi autopsinë, ai reagoi me nervozizëm
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me reagimin e Nadir Rossit ndaj sugjerimit për kryerjen e autopsisë së bashkëshortes.
E dashura i kishte kërkuar që të lejonte ekzaminimin mjekoligjor të Jessicës, të paktën për të sqaruar nëse vajza e çiftit mund të kishte trashëguar ndonjë sëmundje që lidhej me hipogliceminë.
Por sipas dëshmisë së saj, 35-vjeçari kishte reaguar me nervozizëm ndaj kësaj ideje.
Para vdekjes së bashkëshortes, ai i kishte treguar të dashurës se dëshironte të ndahej dhe kishte tentuar ta bindte të jetonin së bashku.
Marrëdhënia e tyre përfundoi kur ai u vu nën hetim dhe iu kontrollua banesa.
Kërcënime dhe një tentativë e dyshuar vetëvrasjeje
Pas ndarjes, sipas dëshmisë së gruas, infermieri kishte filluar ta kërkonte vazhdimisht dhe ta akuzonte se e kishte braktisur në momentin më të vështirë.
Ajo u kishte treguar hetuesve se ndihej e kërcënuar dhe kishte frikë se mund të përndiqej.
Në kutinë e saj postare ishte gjetur edhe një shënim kërcënues, me gabime drejtshkrimore që asaj i kujtonin mënyrën e të shkruarit të Nadirit.
Në një tjetër episod, infermieri dyshohet se tentoi t’i jepte fund jetës në dhomat e zhveshjes së spitalit Borgo Roma, pasi kishte marrë disa ampula medikamentesh nga institucioni.
Ngjarja u denoncua nga spitali dhe çoi në hapjen e një hetimi që më vonë u lidh edhe me vdekjen e Jessicës.
Gjyqtarja: Sjellje manipuluese dhe viktimizuese
Gjyqtarja Carola Musio, e cila firmosi masën e arrestit me burg, ka evidentuar në vendimin e saj atë që e përshkruan si natyrë manipuluese dhe viktimizuese të të dyshuarit.
Sipas dokumenteve gjyqësore, rrëfimet e rreme, fotografia e krijuar me inteligjencë artificiale dhe emaili i dërguar në emër të bashkëshortes së vdekur janë pjesë e sjelljeve që hetuesit po analizojnë.
Nadir Rossi ndodhet në burgun e Veronës, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e tij në vdekjen e Jessica Dalla Chiarës.
Rasti ka ngritur edhe një shqetësim tjetër: përdorimin e inteligjencës artificiale për të fabrikuar prova pamore dhe histori të rreme, të cilat mund të përdoren për të manipuluar njerëzit.






