Gjashtë persona janë arrestuar, tre të tjerë janë proceduar penalisht dhe dy janë shpallur në kërkim pas incidenteve të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar më 31 tetor në Tiranë. Policia ka referuar në Prokurori edhe veprën penale të vrasjes së punonjësit të Policisë, të mbetur në tentativë.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit protestues të përfshirë në incidente kanë goditur efektivët e Policisë me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike. Gjithashtu, janë bllokuar rrugë dhe janë djegur kazanë mbeturinash.

Kush janë 6 të arrestuarit?

Në vijim të hetimeve, të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë, Policia e Tiranës ka arrestuar katër persona të rritur dhe dy të mitur.

Të arrestuarit janë:

  • A. Sh., 26 vjeç
  • L. K., 18 vjeç
  • F. Ç., 38 vjeç
  • K. R., 35 vjeç, shtetas i huaj
  • Dy shtetas të mitur

Ndërkohë, tre persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy të dyshuar janë shpallur në kërkim.

Bomba molotov të sekuestruara, akuza të rënda penale

Gjatë kontrolleve të kryera, policia ka gjetur dhe sekuestruar bomba molotov që, sipas saj, u përkisnin dy prej personave të arrestuar, L. K. dhe A. Sh.

Por ajo që bie në sy është rëndësia e akuzave penale të referuara në Prokurori.

Mes veprave penale të përfshira në dosje është edhe “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, krahas kundërshtimit të efektivëve dhe përdorimit të lëndëve plasëse e djegëse.

Materialet procedurale janë referuar gjithashtu për veprat penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishjes së qetësisë publike, pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, shkatërrimit të pronës me zjarr dhe mbajtjes pa leje e prodhimit të armëve shpërthyese dhe municionit.

Njoftimi i policisë nuk specifikon se cilit prej të dyshuarve i është atribuuar secila vepër penale.

Hetimet nuk kanë përfunduar, policia kërkon persona të tjerë

Policia e Tiranës bën të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në incidentet e dhunshme.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, po analizojnë veprimet e kryera gjatë tubimit për të dokumentuar përgjegjësitë individuale.

Bilanci i deritanishëm i operacionit është 6 të arrestuar, 3 të proceduar penalisht dhe 2 persona në kërkim, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e identifikimit të personave të tjerë gjatë vijimit të hetimeve.

Personat e dyshuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu