
Situata ka degjeneruar në disa zona të qytetit, ku grupe protestuesish janë përpjekur të çajnë kordonët e policisë për të marshuar drejt Parlamentit italian.
Sipas raportimeve të gazetës Corriere della Sera, forcat e rendit kanë përdorur autobote uji dhe kanë ndërhyrë me njësi speciale, ndërsa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike shpërthyese, gurë, shishe dhe sende të tjera ndaj efektivëve.
Përleshje pranë Koloseut, barrikada dhe kazanë në flakë
Incidentet më të rënda u regjistruan pranë Koloseut, ku një grup prej rreth 300 protestuesish, disa me fytyra të mbuluara dhe maska kundër gazit, u shkëputën nga marshimi kryesor.
Ata tentuan të ndryshonin itinerarin e protestës dhe u përplasën me forcat e policisë në zonën e rrugës Via Claudia.
Protestuesit ngritën barrikada me kazanë mbeturinash, të cilëve u vunë flakën, duke krijuar re tymi në rrugë. Më pas, drejt efektivëve u hodhën gurë dhe shishe.
Policia reagoi me ndërhyrje për shpërndarjen e turmës dhe gaz lotsjellës.
Skenat e dhunës u zhvilluan në një nga zonat më turistike të Romës, pranë Koloseut, duke krijuar momente frike mes vizitorëve.
“Shkojmë në Parlament!”, policia bllokon protestuesit
Tensionet u zhvendosën më pas drejt qendrës së kryeqytetit italian.
Rreth 2 mijë protestues marshuan nëpër rrugët e lagjes Trastevere, duke brohoritur “Shkojmë në Parlament!”.
Në urën Ponte Sisto, ata u përballën me një kordon policor të pajisur me mjete speciale.
Përpjekja për të çarë bllokadën shkaktoi përleshje të tjera, ndërsa policia ndërhyri për të penguar avancimin e demonstruesve drejt institucioneve shtetërore.
Situata u tensionua sërish në zonën e Testaccio-s, ku ndaj policisë u hodhën mjete shpërthyese piroteknike dhe shishe. Efektivët u përgjigjën duke përdorur edhe autobotet e ujit.
Tetë të ndaluar, rreth 200 persona të bllokuar për identifikim
Sipas përditësimeve të fundit, policia italiane ka ndaluar tetë persona, mes tyre tri vajza, të dyshuar për përfshirje në përpjekjet për të çarë kordonët e sigurisë.
Ndërkohë, rreth 200 persona, përfshirë protestues dhe qytetarë që ndodheshin në zonë, u bllokuan në Viale Aventino.
Forcat speciale nisën kontrollin e dokumenteve dhe identifikimin fotografik të tyre.
Për shkak të situatës së krijuar, autoritetet mbyllën për publikun sheshet pranë Palazzo Chigi, selia e qeverisë italiane, dhe Palazzo Montecitorio, ku ndodhet Dhoma e Deputetëve.
Organizatorët pretendojnë 100 mijë protestues
Greva e përgjithshme u thirr nga sindikata USB (Unione Sindacale di Base), me pjesëmarrjen e studentëve, punonjësve, organizatave propalestineze dhe lëvizjeve të tjera protestuese.
Organizatorët pretenduan se vetëm në Romë kishin dalë në rrugë rreth 100 mijë persona, shifër që nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Protestat u zhvilluan edhe në qytete të tjera italiane, ndërsa në shkallë kombëtare ishin paralajmëruar rreth 50 tubime.
Demonstruesit kërkojnë masa kundër rritjes së kostos së jetesës, më shumë investime në arsim dhe shërbime publike, si dhe kundërshtojnë shpenzimet për armatime.
Në shënjestër të protestave ishte edhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini, i cili kishte urdhëruar kufizimin e grevës në sektorin e transportit.
Situata në Romë mbetet nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të sigurisë, ndërsa policia po heton incidentet e dhunshme dhe përfshirjen e personave të maskuar në përplasjet me efektivët.






