Ajola Xoxa ka shkuar këtë të enjte, 29 tetor, në burgun e Fierit për të takuar bashkëshortin e saj, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili u transferua një ditë më parë nga paraburgimi i Durrësit.

Xoxa është parë duke hyrë në ambientet e institucionit penitenciar me djalin e vogël të çiftit në krah. Pamjet e vizitës janë publikuar nga mediat.

Më herët gjatë ditës, në burgun e Fierit kishte mbërritur edhe nëna e Erion Veliajt, e cila gjithashtu e vizitoi të birin.

Vizitat familjare vijnë pas transferimit të Veliajt më 28 tetor, një vendim që është kundërshtuar nga kryebashkiaku dhe avokatët e tij.

Veliaj ka ngritur pretendime për mungesë transparence lidhur me arsyet e transferimit, si dhe për kushtet e qëndrimit në institucionin e ri. Ai ka denoncuar vendosjen në izolim dhe kufizimin e komunikimit me familjen dhe mbrojtjen ligjore.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi sot se ankesat për trajtimin e Veliajt duhet të verifikohen nga institucionet përkatëse, përfshirë Avokatin e Popullit dhe strukturat përgjegjëse të sistemit penitenciar.

Djali i vogël i çiftit Xoxa–Veliaj ka lindur më 29 qershor 2026, në një kohë kur kryebashkiaku ndodhej në paraburgim. Pas lindjes, Veliaj përfitoi një leje të posaçme 48-orëshe për të takuar bashkëshorten dhe foshnjën në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 në kuadër të hetimeve të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Dosja e tij është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ndërsa ai i kundërshton akuzat.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu