Ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku i janë komunikuar këtë të martë, 20 tetor, akuzat përfundimtare nga SPAK. Përveç shkeljes së barazisë në tendera në nëntë raste, Balluku akuzohet edhe për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Hetimet përfshijnë edhe dy pasuri të paluajtshme, ndërsa Prokuroria e Posaçme po vijon procedurat ndaj personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje.

Belinda Balluku është paraqitur paraditen e së martës në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, e shoqëruar nga avokati i saj Ardian Kalia, ku i janë komunikuar zyrtarisht akuzat.

Sipas njoftimit të SPAK, ish-zëvendëskryeministrja akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste.

Ndaj saj janë ngritur gjithashtu akuzat për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.

Një tjetër akuzë lidhet me refuzimin për deklarim, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe interesave privatë, në dy raste.

SPAK i ka komunikuar Ballukut edhe akuzën për pastrim të produkteve të veprës penale, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, që lidhet me dy pasuri të paluajtshme.

Dy vilat në Dhërmi dhe Palasë

Sipas raportimit të Report TV, hetimet përfshijnë dy vila në zonën e Dhërmiut dhe Palasës, të cilat dyshohet se janë fshehur përmes personave të tjerë.

Në këtë çështje përmendet edhe ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare, i cili, sipas raportimit, është marrë person në hetim.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se në SPAK është paraqitur edhe biznesmeni Pandeli Carapuli, të cilit i është komunikuar akuza për pastrim parash.

Sipas të njëjtave burime, Carapuli dyshohet se ka dhënë një vilë si ryshfet për Ballukun, në këmbim të favorizimit në një tender me vlerë rreth një milion euro, në periudhën kur ajo drejtonte Albcontrol.

Këto dyshime janë pjesë e hetimit penal dhe nuk përbëjnë fakte të provuara me vendim gjyqësor.

SPAK: Do të komunikohen akuza edhe për persona të tjerë

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme thekson se hetimet po vijojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale.

“Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm”, njofton SPAK.

Sipas Report TV, Balluku dhe avokati i saj kanë qëndruar rreth 30 minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Më herët, ish-zëvendëskryeministrja ishte marrë e pandehur në lidhje me procedurat e tenderimit për Unazën e Madhe të Tiranës dhe Tunelin e Llogarasë.

Belinda Balluku prezumohet e pafajshme deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu