Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas alarmit për vendosjen e bombave dhe kërcënimeve për sulme terroriste në disa institucione shqiptare, përfshirë Kryeministrinë dhe Kryesinë e Kuvendit. Nga verifikimet paraprake rezulton se emaili kërcënues është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite. Autoritetet dyshojnë se mund të bëhet fjalë për përdorimin e një adrese të komprometuar, si në raste të ngjashme të mëparshme.

Mesazhi elektronik, i cili ka mbërritur në adresat e disa institucioneve shtetërore, përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste në Shqipëri.

Në emailin e raportuar më herët nga mediat pretendohej se në një ndërtesë ishte vendosur një mjet shpërthyes me nitrat amoni, ndërsa paralajmëroheshin sulme të tjera.

Pas nisjes së verifikimeve, Policia e Shtetit ka dhënë detajet e para mbi origjinën e mesazhit.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite”, njofton policia.

Sipas autoriteteve, mënyra e dërgimit të emailit paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe kërcënuese janë shpërndarë përmes adresave elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.

Ky konstatim nuk do të thotë se mesazhi është dërguar domosdoshmërisht nga territori i Arabisë Saudite apo nga vetë institucioni arsimor.

Policia thekson se hetimet janë ende në vijim për të përcaktuar origjinën reale dhe autenticitetin e emailit.

“Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Deri tani, policia nuk ka konfirmuar se në institucionet e kërcënuara është gjetur ndonjë mjet shpërthyes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu