Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka përgënjeshtruar raportimet se terminali i pasagjerëve kishte mbetur pa energji elektrike. Përmes një reagimi publik, TIA sqaron se ndërprerja ka prekur vetëm ndriçimin e jashtëm të fasadës për disa minuta, pa ndikuar në funksionimin e aeroportit apo në vijimësinë e fluturimeve.

Reagimi erdhi mbrëmjen e së premtes, 16 tetor, pas publikimeve në rrjetet sociale dhe media që pretendonin se kishte pasur ndërprerje të energjisë elektrike në terminal.

Sipas drejtuesve të aeroportit, këto pretendime nuk përputhen me situatën reale.

“Ndërprerja ka prekur vetëm ndriçimin e fasadës së aeroportit për disa minuta, pa ndikuar në asnjë moment në aktivitetin operacional dhe në vijimësinë normale të fluturimeve”, thuhet në reagimin e TIA-s.

Për të mbështetur sqarimin, aeroporti ka publikuar edhe pamje të filmuara në kohë reale, të cilat, sipas tij, tregojnë se aktiviteti në terminal vijon normalisht.

TIA thekson se nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike brenda terminalit dhe se operacionet aeroportuale nuk janë cenuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu