Njëmbëdhjetë persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës si pasojë e incidenteve gjatë protestës së 16 tetorit në Tiranë. Mes të lënduarve janë gjashtë protestues, tre prej të cilëve të mitur, tre efektivë policie dhe dy kalimtarë.

Sipas përditësimit të Spitalit Universitar të Traumës, deri në orën 18:45 janë regjistruar gjithsej 11 persona të lënduar gjatë protestës së sotme.

Nga këta, gjashtë janë protestues, përfshirë tre të mitur, tre janë punonjës të Policisë së Shtetit dhe dy janë qytetarë që po kalonin në zonat ku janë zhvilluar përplasjet.

Aktualisht, në urgjencën e Spitalit të Traumës ndodhen tre persona: dy protestues dhe një efektiv policie.

Sipas informacionit të spitalit, të tre janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa dy protestuesit po u nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore.

Përditësimi vjen në ditën e katërt të protestave në kryeqytet, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, dëmtime të institucioneve dhe përdorim të gazit lotsjellës e ujit me presion.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu