Rëndohet bilanci i personave që kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së dhunshme të së mërkurës në Tiranë. Sipas të dhënave të përditësuara nga Spitali Universitar i Traumës dhe QSUT, gjithsej 89 persona kanë marrë kujdes shëndetësor. Gjashtë prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin e Traumës, ndërsa tre pritet t’u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.

Nga 89 personat që kanë marrë ndihmë mjekësore, 79 janë trajtuar në Spitalin Universitar të Traumës, mes tyre 61 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 18 protestues. Dhjetë pacientë të tjerë janë trajtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Aktualisht, në Spitalin e Traumës mbeten të shtruar katër efektivë policie dhe dy protestues, të cilët po ndiqen nga ekipet mjekësore.

Sipas informacionit zyrtar, një protestues dhe dy efektivë policie pritet t’u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Të tre janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Personat e tjerë të trajtuar në Spitalin e Traumës janë larguar pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, në QSUT, dhjetë pacientët kanë marrë trajtim në shërbimet e Urgjencës Polivalente, Djegie-Plastikës dhe Okulistikës. Të gjithë janë larguar nga spitali me rekomandimin e mjekëve.

Aktualisht, në QSUT nuk ka persona të lënduar nga protesta që vijojnë të marrin trajtim spitalor.

Bilanci i përditësuar vjen pas përplasjeve të së mërkurës në kryeqytet, ku gjatë protestës u regjistruan incidente të dhunshme dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore e pronës private.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu