Kryeministri Edi Rama ka reaguar mëngjesin e së premtes pas miratimit në Kuvend të ndarjes së re administrativo-territoriale, duke e cilësuar votimin një tjetër “shtysë modernizuese” për Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama iu referua debateve dhe kundërshtive që shoqëruan procesin, ndërsa përdori tone të forta për atë që e cilësoi ndërhyrje të “duarve të pista”.

“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkruan Rama.

Kryeministri përcolli më pas edhe një mesazh politik, duke theksuar forcën e Partisë Socialiste në momentet vendimtare.

“Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste”, shkruan ai.

Reagimi vjen pas një seance të gjatë dhe të tensionuar në Kuvend, ku reforma territoriale u miratua pas debateve mes mazhorancës dhe opozitës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu