Një gjykatë në Tennessee ka urdhëruar ruajtjen e të gjitha provave që lidhen me tentativën e dështuar për ekzekutimin e Christa Pike, e cila mbijetoi pasi iu administruan dy doza pentobarbitali.

Vendimi përfshin shiringat, gjilpërat, linjat intravenoze, paketimet dhe mbetjet e ilaçeve, regjistrat e ekzekutimit, pamjet filmike, komunikimet elektronike dhe materialet e tjera të përdorura në dhomën e ekzekutimit.

Avokatët e Pike kërkojnë që provat të analizohen për të përcaktuar se çfarë shkoi keq. Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që linjat intravenoze të mos kenë qenë vendosur siç duhet dhe pentobarbitali të ketë depërtuar në indet e krahëve në vend që të hynte normalisht në qarkullimin e gjakut.

Pike ka pësuar djegie dhe ënjtje të rënda në krahë dhe vazhdon të trajtohet në spital. Sipas avokatëve të saj, ajo ka probleme me gëlltitjen dhe rikuperimi mund të zgjasë.

Detaje të reja janë bërë publike edhe për momentin kur 50-vjeçarja rifitoi vetëdijen. Sipas njërit prej avokatëve, ndër fjalët e para të saj ishte pyetja: “Ku jam?”. Më pas ajo u informua se kishte mbijetuar tentativën për ekzekutim.

Guvernatori i Tennessee, Bill Lee, e ka cilësuar ngjarjen “thellësisht shqetësuese” dhe ka urdhëruar një hetim të pavarur. Ekzekutimi tjetër i planifikuar në këtë shtet për këtë vit është shtyrë, ndërsa drejtuesi i sistemit të burgjeve është larguar nga detyra.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu