
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Izraelit në Tiranë me rastin e përvjetorit të sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 në Izrael.
Në fjalën e tij, Balla u shpreh se kujtimi i viktimave dhe solidariteti me familjet e tyre mbeten një detyrim, duke theksuar se 7 Tetori nuk duhet të harrohet.
“Sot, më 7 tetor, kujtuam viktimat e sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 në Izrael. Kujtesa mbetet një detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Të kujtosh do të thotë të mos harrosh”, deklaroi Balla.
Ai dënoi terrorizmin, antisemitizmin dhe çdo formë urrejtjeje, duke vënë në pah historinë e shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë Holokaustit.
Balla solli në vëmendje edhe traditën shqiptare të bashkëjetesës fetare, duke e lidhur atë me konceptin e “Besës”, që sipas tij i shtyu shqiptarët t’u hapnin dyert familjeve hebreje të përndjekura.
“Ne nuk i shohim besimet e ndryshme si mure që na ndajnë. I shohim si rrugë të ndryshme që mund të bashkëjetojnë nën të njëjtën çati, brenda së njëjtës familje dhe si pjesë të të njëjtit komb”, tha ai.
Në vijim, Balla theksoi se kujtimi i 7 Tetorit duhet të shërbejë si përgjegjësi për të ardhmen, për të refuzuar urrejtjen dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor.
“Le të mos bëhemi kurrë indiferentë ndaj urrejtjes. Dhe kujtimi i 7 Tetorit le të forcojë vendosmërinë tonë për të ndërtuar një të ardhme ku paqja të jetë më e fortë se frika dhe humanizmi më i fortë se urrejtja”, u shpreh Balla.






