
Biznesmeni Valon Lluka, ish-administrator i shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport”, është arrestuar këtë të mërkurë nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se Lluka është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit, ndërsa ndaj tij rëndojnë dyshime për disa vepra penale.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për “mashtrim”, “shpërdorim të pasurisë së huaj”, “keqpërdorim të autorizimeve ekonomike” dhe “lidhje të kontratës së dëmshme”.
Autoritetet bëjnë të ditur se prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria pritet të vendosë nëse do t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për caktimin e një mase sigurie ndaj Llukës.
Ende nuk është bërë e qartë publikisht çështja konkrete që ka çuar në ndalimin e tij dhe nëse procedimi lidhet me pretendimet e ngritura më herët ndaj biznesmenit apo me një hetim tjetër.
Valon Lluka ka mbajtur më parë postin e administratorit të shoqërisë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.






