
Bashkimi Europian ka shprehur shqetësim për votimin në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se ndërhyrjet që prekin funksionimin e këtij institucioni mund të bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Në një reagim për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara janë krijuar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015 dhe funksionojnë brenda sistemit juridik të vendit.
Sipas Brukselit, mandati dhe pavarësia e Speciales duhet të respektohen plotësisht, ndërsa veprimtaria e saj mbështetet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.
BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe procesin e llogaridhënies dhe të drejtësisë për viktimat e të gjitha komuniteteve.
Reagimi vjen një ditë pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës arritën marrëveshje për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në ligjin për Specialen, vetëm pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.
Ndryshimet u votuan pas disa ditësh tensionesh dhe protestash në Kosovë, ku një prej kërkesave kryesore të protestuesve ishte pikërisht ndryshimi i ligjit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Debati është intensifikuar veçanërisht pas vendimit të 16 shtatorit, kur Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.
Qëndrimi i BE-së sinjalizon se votimi i Kuvendit pritet të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në raportet mes Prishtinës dhe Brukselit në ditët në vijim.






