Kosova duket se po shkon drejt zhbllokimit të krizës politike vetëm pak orë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.

Deputetët e partive politike kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit për një seancë me dy pika vendimtare: votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës.

Zhvillimi vjen pasi kreu i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se partia e tij pranon propozimin që Justina Shiroka-Pula të jetë kandidate për presidente.

PDK ka propozuar ndërkohë deputeten Eliza Hoxha si kundërkandidate, duke hapur rrugën që gara për kreun e shtetit të zhvillohet mes dy grave.

Sipas rendit të dakorduar, deputetët pritet të votojnë fillimisht në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Vetëm pas përfundimit të këtij votimi, Kuvendi pritet të kalojë në pikën e dytë, zgjedhjen e presidentes.

Kjo formulë përkon me kërkesën që PDK kishte mbajtur gjatë gjithë ditës: fillimisht miratimi përfundimtar i ndryshimeve për Specialen dhe më pas marrëveshja për presidentin. Më herët Hamza kishte deklaruar se nuk do të diskutonte për kreun e shtetit pa kaluar më parë ligji në lexim të dytë.

Zhvillimi vjen pas një dite negociatash intensive dhe disa ofertave të ndryshme mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës, ndërsa dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.

Tags SEO: Kosovë, presidenti i Kosovës, Justina Shiroka-Pula, Eliza Hoxha, Albin Kurti, Bedri Hamza, PDK, Vetëvendosje, Gjykata Speciale, Dhomat e Specializuara, Kuvendi i Kosovës, ligji për Specialen, zgjedhja e presidentit

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu