
Një zhvillim i ri ka ardhur në minutat e fundit nga Prishtina, ku PDK-ja ka pranuar propozimin e Albin Kurtit për Justina Shiroka-Pulën si kandidate për presidente të Kosovës. Pula ka qenë ish ministre dhe ish deputete e PDK një dekadë më parë.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij pranon kandidaturën e Shiroka-Pulës, ndërsa ka propozuar Eliza Hoxhën si kundërkandidate.
Zhvillimi vjen pas një dite të gjatë negociatash, ofertash dhe kundërofertash mes Vetëvendosjes dhe PDK-së për zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Vetëm pak më herët, Kurti kishte propozuar Justina Shiroka-Pulën për presidente dhe i kishte bërë thirrje PDK-së që të merrte pjesë në votim. Ai përsëriti gjithashtu gatishmërinë e Vetëvendosjes për të votuar paraprakisht ndryshimet në Ligjin për Specialen.
Pas pranimit të propozimit nga PDK-ja, deputetët e forcave politike kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit, duke hapur rrugën për një seancë të mundshme vendimtare në orët e fundit të afatit kushtetues.
6 tetori është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Dështimi për të zgjedhur kreun e shtetit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, votimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara mbetet pjesë e marrëveshjes politike që ka dominuar negociatat mes partive gjatë gjithë ditës.






