Me afrimin e Halloween-it, disa strehëza kafshësh vendosin të pezullojnë përkohësisht adoptimin e maceve të zeza, një masë që përsëritet çdo vit në vende të ndryshme.

Arsyeja lidhet me frikën se këto kafshë mund të merren vetëm si “aksesor” për periudhën e Halloween-it, të braktisen më pas ose të ekspozohen ndaj keqtrajtimit për shkak të bestytnive që i shoqërojnë prej shekujsh.

Një nga rastet e fundit është ai i Community Humane Shelter of Steuben County, në Indiana të SHBA-së, e cila ka njoftuar se ka pezulluar adoptimet e të gjitha maceve të zeza nga 1 tetori deri më 3 nëntor.

Strehëza ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe njerëzit mund të vijojnë t’i vizitojnë macet dhe të paraqesin kërkesë për adoptim, por kafshët do të qëndrojnë në qendër deri pas përfundimit të Halloween-it.

Organizata u ka bërë thirrje gjithashtu pronarëve që gjatë muajit tetor t’i mbajnë macet brenda ambienteve të sigurta, sidomos ato me ngjyrë të zezë.

Macet e zeza janë lidhur historikisht me bestytni, tersin apo simbole të frikshme, megjithëse nuk ka asnjë bazë reale për këto paragjykime.

Jo të gjitha strehëzat ndjekin të njëjtën praktikë. Disa vijojnë adoptimet normalisht, duke u mbështetur te kontrollet e adoptuesve dhe procedurat e kujdesshme për të siguruar që kafshët të shkojnë në familje të përgjegjshme.

Megjithatë, çdo tetor rikthehet i njëjti debat: a duhet pezulluar përkohësisht adoptimi i maceve të zeza për t’i mbrojtur, apo mjafton një proces më i fortë verifikimi i adoptuesve?

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu