
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me një ofertë të re për PDK-në, në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Kurti kërkon që presidenti të zgjidhet këtë të martë, ndërsa është zotuar publikisht se të enjten paradite Kuvendi do të votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë”, deklaroi Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit nuk mund të shtyhet më, pasi 6 tetori është dita e fundit e afatit kushtetues. Në rast se palët nuk arrijnë marrëveshje, Kosova rrezikon të futet sërish në një proces zgjedhor.
Kurti tha se Vetëvendosje ka bërë disa hapa drejt PDK-së për të arritur një marrëveshje, por sipas tij nuk ka pasur të njëjtën lëvizje nga pala tjetër.
Ai argumentoi se për projektligjin që ndryshon Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet respektuar edhe afati procedural prej 72 orësh përpara votimit në lexim të dytë.
“Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe unë publikisht zotohem para jush që paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i projektligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Kurti.
Oferta vjen ndërsa PDK-ja mban një qëndrim të kundërt për rendin e veprimeve. Kreu i saj, Bedri Hamza, deklaroi më herët se nuk do të ketë takim për çështjen e presidentit pa u miratuar më parë në lexim të dytë Ligji për Specialen.
PDK kërkon që ndryshimet për Dhomat e Specializuara të përfundojnë të parat, ndërsa më pas është shprehur e gatshme të diskutojë për një marrëveshje për presidentin.
Kështu, ngërçi mes dy forcave politike është përqendruar tashmë jo vetëm te përmbajtja e marrëveshjes, por edhe te radha e votimeve: Kurti kërkon presidentin sot dhe Specialen të enjten, ndërsa PDK kërkon fillimisht Specialen dhe më pas presidentin.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvend.






