
Një debat që prek drejtpërdrejt edhe një rregull të njohur për punonjësit në Shqipëri është hapur në Maqedoninë e Veriut: a duhet që një festë zyrtare që bie në fundjavë të sjellë edhe një ditë tjetër pushimi gjatë javës?
Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar reduktimin e ditëve jo pune, duke argumentuar se numri i lartë i pushimeve ndikon në produktivitet dhe rrit kostot për bizneset.
Një nga rregullat që kërkohet të ndryshojë është ai që, kur një festë shtetërore bie të dielën, e zhvendos ditën e pushimit në të hënën pasardhëse.
Por kryeministri Hristijan Mickoski është pozicionuar kundër propozimit.
“Parimisht mendoj se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk kam asnjë dilemë”, deklaroi ai, duke sinjalizuar se qeveria nuk mbështet heqjen e kësaj të drejte.
Debati është interesant edhe për Shqipërinë, pasi vendi ynë zbaton një rregull të ngjashëm. Kur një festë zyrtare bie të shtunën ose të dielën, dita e pushimit nuk “humbet”, por shtyhet në ditën pasardhëse të punës.
Vetëm gjatë vitit 2026, ky rregull ka sjellë tetë ditë pushimi të zhvendosura. Dita e Verës, Nevruzi, Pashkët Katolike dhe Ortodokse, Dita e Shenjtërimit të Shën Terezës, Dita e Alfabetit, si dhe festat e 28 dhe 29 Nëntorit ranë në fundjavë dhe pushimi kaloi në ditët pasardhëse të punës.
Rasti më i dukshëm është fundi i nëntorit 2026. Dita e Pavarësisë bie të shtunën më 28 nëntor dhe Dita e Çlirimit të dielën më 29 nëntor. Për këtë arsye, pushimi zhvendoset të hënën më 30 nëntor dhe të martën më 1 dhjetor, duke krijuar një fundjavë katërditore për një pjesë të madhe të punonjësve.
Në Maqedoninë e Veriut biznesi kërkon që një praktikë e tillë të kufizohet për të shtuar ditët efektive të punës, ndërsa kryeministri Mickoski argumenton se ajo përbën një të drejtë të fituar të punonjësve dhe nuk duhet prekur.
Në Shqipëri, për momentin, nuk ka një nismë të ngjashme të bërë publike për heqjen e këtij rregulli.






