
Shqipëria mund të hedhë një tjetër hap në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në Bruksel, grupi i punës për Zgjerimin dhe vendet që negociojnë anëtarësimin në BE, COELA, po shqyrton pozicionin negociues për Kapitullin 20, “Sipërmarrja dhe Politika Industriale”.
Në qendër të diskutimeve është mundësia për mbylljen e përkohshme të këtij kapitulli, pjesë e Cluster 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”.
Kapitulli 20 lidhet drejtpërdrejt me politikat për sipërmarrjen, industrinë, klimën e biznesit, konkurrueshmërinë dhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Në diskutimet e mëparshme nuk ishte arritur ende dakordësia e nevojshme mes vendeve anëtare, ndaj çështja është rikthyer në tryezën e COELA-s këtë të martë, 6 tetor.
Presidenca e Këshillit ka paraqitur gjithashtu një propozim kompromisi për pozicionin e përbashkët të Bashkimit Europian për Kapitullin 20, çka synon afrimin e qëndrimeve mes vendeve anëtare.
Nëse në COELA arrihet konsensusi, çështja pritet të kalojë në fazat e tjera të procedurës europiane, përfshirë shqyrtimin në COREPER dhe më pas formalizimin në një Konferencë Ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Shqipëria ka hapur tashmë të gjithë kapitujt e negociatave. Deri më tani janë mbyllur përkohësisht tre: Kapitulli 25 për “Shkencën dhe kërkimin”, Kapitulli 26 për “Arsimin dhe kulturën” dhe Kapitulli 30 për “Marrëdhëniet e jashtme”.
Nëse procedura për Kapitullin 20 përfundon me mbylljen e tij të përkohshme, ai do të bëhej kapitulli i katërt që Shqipëria mbyll në rrugën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.






