Venecia ka miratuar rregulla të reja që u mundësojnë familjeve të vendosin hirin e kafshëve të tyre të dashura pranë varrit të pronarit në varrezat publike të qytetit.

Sipas rregullores së re të Bashkisë së Venecias, urna e kafshës do të ketë vetëm funksion përkujtimor dhe duhet të qëndrojë e ndarë nga hapësira ku ndodhet arkivoli, hiri apo mbetjet mortore të personit.

Për çdo varr do të lejohet vetëm një urnë, por ajo mund të përmbajë hirin e deri në dy kafshëve shtëpiake.

Rregullat përcaktojnë edhe mënyrën e vendosjes. Në varret në tokë urna mund të vendoset në një hapësirë të posaçme të pllakës së varrit, ndërsa në varret murale mund të fiksohet në pjesën e jashtme. Në varret familjare duhet të ketë një hapësirë të veçantë dhe të dallueshme.

Urna duhet të fiksohet në mënyrë të sigurt dhe të mbajë shënimin “Urnë funerare për kafshë”. Rregullorja lejon gjithashtu që mbi varr të vendoset një fotografi e personit të ndjerë së bashku me kafshën e tij.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për qen e mace. Rregulli përfshin lepujt, brejtësit e vegjël, zogjtë, peshqit dekorativë, breshkat dhe zvarranikët e vegjël që janë mbajtur si kafshë shoqëruese. Përjashtohen kafshët e fermave, ato të destinuara për prodhim ushqimor dhe kafshët e egra ose të mbrojtura.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu