Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara tërhoqën bombarduesit nga baza RAF Fairford në Britaninë e Madhe për shkak të një kërcënimi ndaj bazës.

Pentagoni kishte konfirmuar të dielën largimin e avionëve, që mendohet se ishin rreth 12 bombardues B-1, duke i kthyer në bazat e tyre në Shtetet e Bashkuara.

“Po, mendoj se mund ta themi këtë. Ata nuk u larguan rastësisht. Kishte disa kërcënime”, deklaroi Trump para gazetarëve. Ai shtoi se Uashingtoni “i njeh personat që bënë kërcënimin”, por nuk dha detaje mbi identitetin e tyre apo natyrën konkrete të rrezikut.

Vendimi vjen pas një incidenti të 27 shtatorit, kur policia britanike u njoftua për tre automjete të dyshimta pranë RAF Fairford. Pesë persona u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra terroriste dhe më pas u liruan me kusht. Më vonë u arrestua edhe një person me shtetësi britanike dhe iraniane, i cili gjithashtu u lirua me kusht.

Nuk është konfirmuar zyrtarisht se Irani qëndron pas incidentit. Teherani ka mohuar çdo përfshirje. Megjithatë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se bombarduesit u zhvendosën si masë paraprake dhe ngriti akuza ndaj Iranit.

Burime në Uashington kanë ngritur si skenar të mundshëm tentativa sabotimi ose goditjeje ndaj avionëve amerikanë, por natyra e kërcënimit mbetet ende e paqartë. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio është treguar më i rezervuar, duke theksuar se lëvizjet e mjeteve ushtarake mes bazave janë të zakonshme dhe se SHBA vazhdon të ketë besim te siguria e bazave në Britani.

RAF Fairford, në Gloucestershire, është një nga bazat kryesore të përdorura prej dekadash nga Forcat Ajrore amerikane në Britani. Prej saj janë operuar bombardues B-1 dhe B-52, përfshirë misione të lidhura me Lindjen e Mesme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu