Protesta para Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është përshkallëzuar në mbrëmje, pas një dite tensionesh. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa janë raportuar të lënduar dhe të arrestuar.

Protestuesit kishin rrethuar Kuvendin dhe kërkonin që deputetët të mos largoheshin pa u votuar edhe në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Specialen. Projektligji kaloi gjatë ditës në lexim të parë, por nuk u arrit marrëveshja politike për votimin përfundimtar.

Tensionet nisën të rriteshin kur protestuesit bllokuan daljet e Kuvendit. Gjatë ditës u hodhën mjete piroteknike dhe u thyen xhama të ndërtesës, ndërsa deputeti i Vetëvendosjes Fahrush Rexhepi u kap fizikisht nga protestuesit dhe u kthye drejt Kuvendit. Edhe Besnik Bislimi u pengua të largohej nga zona e institucioneve.

Situata u përshkallëzua më tej në mbrëmje. Policia ndërhyri për të mundësuar largimin e deputetëve, duke përdorur gaz lotsjellës, ndërsa në rrugën “Agim Ramadani” u angazhuan edhe mjete të blinduara dhe topa uji. Protestuesit, nga ana tjetër, hodhën mjete piroteknike dhe dogjën kontejnerë.

Policia e Kosovës deklaroi se ndërhyrja erdhi pasi thirrjet për protestë të qetë nuk u respektuan. Sipas njoftimit policor, janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk raportohej për persona të lënduar rëndë.

Në sfond të protestës qëndron përplasja politike për votimin e dytë të ligjit. Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi pa marrëveshje. PDK pretendon se votimi i ligjit u kushtëzua me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Në orët e vona protestuesit vijuan të qëndronin në qendër të Prishtinës, ndërsa Policia vazhdoi përpjekjet për shpërndarjen e tyre. Deputetët e PDK-së kërkuan nga drejtuesit policorë të tërhiqnin kordonin, duke pretenduar përdorim joproporcional të forcës.

Komandanti operacional i Policisë deklaroi se edhe efektivë policie ishin lënduar dhe se çdo rast i përdorimit joproporcional të forcës nga policët do të trajtohej për përgjegjësi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu