Shqiptarët janë ndër qytetarët më pak të prirur në Europë për të kontrolluar nëse informacioni që gjejnë në internet është i vërtetë. Vetëm 14.34% e personave të moshës 16–74 vjeç në Shqipëri verifikojnë informacionin online duke iu drejtuar burimeve të tjera.

Të dhënat e Eurostat e rendisin Shqipërinë të tretën nga fundi në Europë për këtë tregues dhe shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, që arrin në 29.16%.

Vetëm Greqia, me 9.78%, dhe Serbia, me 11.13%, regjistrojnë një nivel më të ulët verifikimi. Shqipëria pasohet nga Lituania me 14.92%, Turqia me 16.93%, Bosnjë-Hercegovina me 18.02% dhe Rumania me 18.19%.

Edhe krahasimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nxjerr në pah diferencën. Në Malin e Zi, 21.43% e qytetarëve kontrollojnë informacionin që hasin online, ndërsa në Maqedoninë e Veriut përqindja arrin në 24.22%.

Në skajin tjetër të renditjes është Irlanda, ku 63.64% e përdoruesve kontrollojnë informacionin në burime të tjera. Pas saj renditen Holanda me 53.06%, Luksemburgu me 45.24% dhe Suedia me 44.61%.

Shifrat marrin rëndësi të veçantë përballë përhapjes së dezinformimit. Sipas të dhënave të Eurobarometrit, 66% e europianëve thonë se ndeshen të paktën herë pas here me dezinformim ose lajme të rreme.

Ndërkohë, 82% e europianëve e konsiderojnë informacionin e rremë apo shtrembërimin e realitetit një problem për demokracinë. Pra, ndërsa informacioni online po konsumohet gjithnjë e më shumë, vetëm rreth 1 në 7 shqiptarë bën hapin tjetër: kontrollon nëse ajo që sapo lexoi është e vërtetë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu