Dua Lipa dhe Shakira kanë elektrizuar Madridin me duetin e tyre të parë live, por detajet e reja nga koncerti e bëjnë edhe më të veçantë takimin mes dy yjeve të muzikës botërore.

Shakira e prezantoi artisten shqiptare me fjalën “diosa” – “perëndeshë” në spanjisht – dhe deklaroi publikisht se tashmë ishte “zyrtarisht” një fanse e Dua Lipës. Më pas, të dyja interpretuan në version akustik baladën e famshme “Antología”.

Ka edhe një koincidencë interesante: Shakira e publikoi “Antología” në albumin “Pies Descalzos” në vitin 1995, pikërisht në vitin kur lindi Dua Lipa. Tre dekada më vonë, dy breza të muzikës pop u bashkuan për ta kënduar në të njëjtën skenë.

Historia e këtij dueti kishte nisur më herët. Më 28 nëntor 2025, gjatë koncertit të saj në Bogotá, Dua Lipa kishte zgjedhur të këndonte në spanjisht “Antología” si homazh për Kolumbinë. Shakira reagoi e emocionuar, duke thënë se ishte prekur kur dëgjoi këngën e saj në zërin e Duas.

Takimi i shumëpritur ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Madrid, në koncertin e tetë të rezidencës së Shakirës në Macondo Park, pjesë e turneut “Las Mujeres Ya No Lloran”. Koncerti u transmetua drejtpërdrejt edhe për publikun ndërkombëtar.

“Të më pickojë dikush, më duket se jam në ëndërr”, u shpreh Shakira, ndërsa përqafoi Dua Lipën.

Videot e performancës u shpërndanë menjëherë në rrjetet sociale, me fansat që veçuan harmoninë e dy artisteve dhe interpretimin në spanjisht të Dua Lipës.

Turneu i Shakirës ka mbledhur, sipas të dhënave të publikuara, më shumë se 6 milionë spektatorë, ndërsa seria e koncerteve në Madrid vazhdon edhe gjatë tetorit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu