Një situatë dramatike është regjistruar në një avion të Flydubai që udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, me rreth 150 persona në bord, shumica izraelitë.

Sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, një nga pilotët goditi me thikë pilotin tjetër dhe më pas tentoi të rrëzonte avionin. I dyshuari është arrestuar pas uljes emergjente të avionit në Arabinë Saudite.

Ngjarja ndodhi gjatë fluturimit FZ1073. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se avioni pësoi një rënie të jashtëzakonshme të lartësisë, duke zbritur rreth 5.200 metra në më pak se dy minuta.

Fillimisht nga avioni u transmetua kodi 7700, që përdoret për një emergjencë të përgjithshme. Vetëm pak minuta më vonë u aktivizua kodi 7500, sinjali ndërkombëtar që tregon ndërhyrje të paligjshme në avion.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, nga kabina e pilotëve u dëgjuan britma dhe thirrje për ndihmë. Në avion shpërtheu paniku ndërsa ai humbiste me shpejtësi lartësi.

Pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit ndërhynë për të neutralizuar personin e dyshuar. Sipas dëshmive të raportuara, dy pilotë të tjerë që ndodheshin në pjesën e pasme të avionit ndërhynë më pas për të marrë kontrollin e tij.

Avioni ndryshoi kurs dhe u ul në aeroportin e Tabukut, në Arabinë Saudite. Autoritetet e aeroportit konfirmuan se kapiteni dhe oficeri i parë kishin pësuar lëndime dhe u transportuan në spital.

Flydubai njoftoi se të gjithë pasagjerët janë të sigurt.

Sipas zyrtarëve izraelitë, incidenti po hetohet edhe si një tentativë e mundshme për sulm terrorist. Qeveria izraelite dyshon se një prej pilotëve mund të ketë synuar marrjen e kontrollit dhe rrëzimin e avionit. Megjithatë, ky version mbetet ende një dyshim i autoriteteve izraelite dhe motivi i sulmit nuk është konfirmuar përfundimisht.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu