Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Kuvendin e Shqipërisë me kryetaren dhe anëtarët e Komisionit për Turizmin të Bundestagut Gjerman.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe forcimin e bashkëpunimit me Gjermaninë në këtë sektor. Balla theksoi se në prill 2026, turistët gjermanë përbënin 8% të vizitorëve të huaj të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua projektit në Zvërnec, për të cilin Balla informoi delegacionin gjerman se synon të shërbejë si shembull i mënyrës se si investimet e mëdha ndërkombëtare mund të realizohen në Shqipëri në përputhje me standardet europiane.

Sipas Ballës, projekti po hartohet mbi parimet e investimit të përgjegjshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe krijimit të vlerës së qëndrueshme për komunitetin dhe ekonominë vendase.

“Vija bregdetare dhe ekosistemet natyrore të Shqipërisë përbëjnë pasuri që duhen mbrojtur”, u shpreh Balla, duke theksuar angazhimin që projekti të përmbushë ose tejkalojë standardet mjedisore të zbatueshme të Bashkimit Europian.

Një tjetër objektiv i projektit është që vlera ekonomike e krijuar nga investimi të mbetet në Shqipëri, përmes punësimit vendas, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së furnitorëve dhe bizneseve shqiptare, rritjes së turizmit dhe krijimit të aktivitetit ekonomik afatgjatë në rajonin e Vlorës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu