Projekti i lidhur me Jared Kushner nuk është i vetmi zhvillim turistik që synohet në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Tre komplekse të tjera turistike janë projektuar brenda kufijve të zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë, me një sipërfaqe zhvillimi që, së bashku, kalon 190 mijë metra katrorë.

Sipas një investigimi të BIRN, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi në maj dhe qershor 2025 dy leje zhvillimi për hotele dhe resorte turistike mbi prona të kontestuara në Zvërnec dhe një tjetër leje më në jug, pranë TEC-it të Vlorës.

Projektet u përkasin kompanive “Green Investment”, “Turi M.Z.P” dhe “Concord Investment”. E para, me aksioner shumice Kreshnik Malajn, djalin e ish-deputetit socialist Mezan Malaj, synon realizimin e kompleksit “Arte Marea 1”. “Turi M.Z.P”, në pronësi të biznesmenit Artur Haxhi, ka projektin “Salterra 2”, ndërsa “Concord Investment”, në pronësi të vëllezërve Dulaku, planifikon një kompleks turistik pranë TEC-it të Vlorës.

Megjithatë, vendimet për lejet e zhvillimit nuk janë zbardhur ende, pasi zhvilluesit nuk kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor.

“Arte Marea 1”, vila dhe ndërtime buzë detit

Një prej projekteve është “Arte Marea 1”. Sipas dokumenteve të investigimit, ai shtrihet në një truall prej 49,985 metrash katrorë, ndërsa 8,424 metra katrorë parashikohet të zihen nga strukturat. Projekti përfshin ndërtime nga një deri në tre kate mbi tokë dhe një kat nëntokë.

Dokumenti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit konfirmon se projekti ndodhet në zonën e mbrojtur dhe se zhvillimi aty u bë i mundur nga ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, ku turizmi u shtua si aktivitet i lejuar.

“Salterra 2”, aplikim deri në 11 kate

Projekti tjetër, “Salterra 2”, parashikon një kompleks turistik me hoteleri dhe shërbime. Gjurmët e strukturave pritet të zënë 4,250 metra katrorë.

Pronari i kompanisë, Artur Haxhi, ka deklaruar se ishte aplikuar për 11 kate, por se nuk ishte i sigurt nëse ishin miratuar 7, 6 apo 5+1 kate, pasi procedura ende nuk kishte përfunduar. Ai këmbëngul se investimi nuk do të dëmtojë natyrën.

Projekti më i madh pranë TEC-it

Më i madhi ndër tre projektet është ai i “Concord Investment”. Projekti shtrihet në një rrip pylli prej rreth 13.6 hektarësh në Pyllin e Sodës, menjëherë pas TEC-it të Vlorës.

Përfaqësuesi i kompanisë, Artan Dulaku, ka kundërshtuar argumentet për mbrojtjen e zonës, duke pretenduar se territori pranë TEC-it është i degraduar dhe nuk ka vlerat që justifikojnë statusin e zonës së mbrojtur.

Hija e Artur Shehut dhe konflikti për pronat

Investigimi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi historinë e pronësisë së tokave. Banorët e Zvërnecit janë prej vitesh në konflikt gjyqësor për një pjesë të territorit të njohur si “10-hektarëshi”.

Sipas dokumenteve gjyqësore, vendime të viteve 2006-2009 i kishin njohur familjes Shehu rreth 4 milionë metra katrorë në zonën e Zvërnecit dhe e kishin kompensuar fizikisht me 3.4 milionë metra katrorë. Gjykata e Vlorës konstatoi më pas mbivendosje me tokat e ndara sipas ligjit 7501, por çështja nuk ka marrë ende vendim përfundimtar.

Artur Shehu, biznesmen shqiptaro-amerikan që jeton në Florida, është nën hetim nga SPAK për pastrim parash lidhur me një transaksion prej 128 milionë eurosh nga shitja e tokave në Zvërnec te kompania “Albanian Land Development”, e lidhur me projektin e resortit të prezantuar nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas investigimit, edhe pronat ku planifikohen projektet e tjera kanë lidhje ose histori pronësie që çojnë te familja Shehu apo persona të lidhur me Artur Shehun.

Ambientalistet: Rrezikohet e gjithë zona

Ekspertët mjedisorë paralajmërojnë se zhvillimet mund të cenojnë rëndë Pishë Poro-Nartën, zonë kandidate për rrjetin europian “Emerald” dhe pranë përfshirjes në “Natura 2000”.

Sipas tyre, asfaltimi, themelet, kanalizimet dhe ndriçimi që shoqërojnë urbanizimin masiv do të ndryshonin ekosistemin dhe do të vinin në pikëpyetje vetë kuptimin e statusit të zonës së mbrojtur.

Planet për resortin e lidhur me Jared Kushner kanë qenë një prej shkaqeve të protestave të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Investitorët e projekteve të tjera kanë pranuar se protestat kanë ndikuar në vonesën e procedurave administrative për lejet e tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu