
Shqipëria e ka nisur me fitore aventurën e saj në Ligën e Kombeve, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në stadiumin “Air Albania”.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Rolando Maran zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë. Kristjan Asllani zhbllokoi rezultatin në minutën e 34-t, duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë së fituar nga Berat Gjimshiti.
Pak para përfundimit të pjesës së parë erdhi edhe goli i dytë. Në minutën 45+2, Ernest Muçi shfrytëzoi asistin e Elseid Hysajt dhe dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2-0.
Në pjesën e dytë, Kombëtarja shqiptare administroi avantazhin, duke mos i dhënë Bjellorusisë mundësinë të rikthehej në lojë.
Me tri pikët e para, Shqipëria ndan kreun e grupit me Finlandën, e cila fitoi 7-0 ndaj San Marinos dhe ka golavarazh më të mirë.
Ndeshja e radhës për kuqezinjtë do të luhet pas tri ditësh në transfertë kundër San Marinos.
Në “Air Albania” nuk munguan as mesazhet nga tribunat. Tifozë kuqezi shfaqën pankarta me mbishkrimin “Jo në emrin tim”, në reagim ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së.






