
Një shtetas ukrainas, i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kievit për trafik të lëndëve narkotike, është arrestuar në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.
Bëhet fjalë për Anatolii Streletskyi, 53 vjeç, i cili u vu në pranga nga Policia e Shtetit në momentin që zbriti në aeroport.
Operacioni u realizua nga Njësia e Shërbimeve të Përbashkëta Investigative në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.
Sipas Policisë, arrestimi u bë falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Njësinë e Hetimeve Ndërkombëtare Federale DSS/OCIU, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
53-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese të Kievit, pasi dyshohet për trafik të lëndëve narkotike si pjesë e një organizate kriminale.
Policia e Shtetit njoftoi se po bashkëpunon me agjencitë partnere për rastin, ndërsa Interpol Tirana po kryen procedurat me homologët ukrainas për ekstradimin e Streletskyi drejt Ukrainës.






