
Gjuha e urrejtjes dhe mënyra se si ajo po fiton terren në rrjetet sociale është vendosur në fokus të studiuesve të gjuhës, në një kohë kur komentet agresive dhe diskursi armiqësor janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në komunikimin digjital.
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është zhvilluar ligjërata “Analiza e diskursit. Gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale”, ku studiuesja dr. Rafaela Marteta analizoi mekanizmat përmes të cilëve ky lloj komunikimi shfaqet dhe normalizohet në internet.
Vëmendje e veçantë iu kushtua komenteve në rrjetet sociale dhe sidomos diskutimeve me përmbajtje politike, ku përplasjet mes përdoruesve mund të krijojnë terren për legjitimimin e një gjuhe gjithnjë e më armiqësore.
Sipas analizës së paraqitur, gjuha e urrejtjes në internet nuk mund të shihet e shkëputur nga realiteti. Ajo lidhet me faktorë socialë, kulturorë dhe ideologjikë, ndërsa mënyra se si zhvillohet komunikimi online mund të ndikojë në normalizimin e saj.
Studiuesit theksuan nevojën që fenomeni të analizohet duke marrë parasysh kontekstin ku lind dhe përhapet. Kuptimi i mekanizmave që e prodhojnë dhe e bëjnë të pranueshëm diskursin armiqësor konsiderohet i rëndësishëm edhe për hartimin e mënyrave më efektive për parandalimin e tij.
Në diskutim u ngritën gjithashtu sfidat që sjell komunikimi politik në rrjetet sociale dhe ndikimi që gjuha e përdorur në hapësirën digjitale mund të ketë në formimin e perceptimeve kolektive.






