Detaje të reja janë raportuar mbi hetimin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, për të cilën Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Gazetarja Klodiana Lala deklaroi në emisionin “Opinion” se hetuesit dyshojnë se Hyseni i ka dhënë biznesmenit Ergys Agasi informacione të siguruara për shkak të funksionit të saj në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe që nuk ishin të destinuara për publikun.

Sipas Lalës, dyshimet mbështeten në materiale të siguruara gjatë hetimit, mes tyre të dhëna nga pajisje përgjimi, materiale të administruara nga telefoni i Agasit dhe vëzhgime të kryera nga hetuesit. Mes provave dyshohet se ndodhen edhe komunikime të drejtpërdrejta mes Hysenit dhe Agasit.

Një nga dyshimet kryesore është se Hyseni e ka informuar Agasin për lëvizje dhe veprime të strukturave policore gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim. Ajo dyshohet gjithashtu se i ka përcjellë të dhëna që lidheshin drejtpërdrejt me të, si dhe informacione e dokumente për persona të tjerë, të siguruara për shkak të detyrës.

Sipas gazetares, materialet e administruara gjatë hetimit janë vlerësuar nga Gjykata e Posaçme në fazën e caktimit të masave të sigurisë.

Bëhet fjalë për dyshime të ngritura në kuadër të një hetimi në zhvillim dhe jo për një vendim përfundimtar mbi fajësinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu