Uragani “Polo” është fuqizuar me shpejtësi të jashtëzakonshme në Paqësor, duke arritur Kategorinë 5, nivelin maksimal të shkallës së uraganeve. Stuhia ndodhet pranë brigjeve të Meksikës dhe shoqërohet me erëra të qëndrueshme deri në rreth 290 kilometra në orë.

Brenda vetëm 24 orësh, “Polo” kaloi nga një stuhi tropikale me erëra rreth 80 km/h në një uragan të Kategorisë 5. Shpejtësia e erërave u rrit me rreth 177 km/h gjatë kësaj periudhe, një nga intensifikimet më të shpejta të regjistruara në Paqësorin Lindor.

Fuqizimi i jashtëzakonshëm lidhet me kushtet shumë të favorshme atmosferike dhe temperaturat e larta të ujërave të Paqësorit, të ndikuara edhe nga fenomeni i fuqishëm El Niño.

Uragani ndodhej disa qindra kilometra në jug-juglindje të Manzanillos. Parashikimet tregojnë se erërat më të rrezikshme pritet të mbeten mbi det, ndërsa “Polo” lëviz paralelisht me vijën bregdetare të Meksikës.

Megjithatë, kërcënimi kryesor për tokën mbeten reshjet e dendura. Në shtetet Guerrero dhe Michoacán priten sasi të mëdha shiu, me rrezik për përmbytje të menjëhershme dhe rrëshqitje dheu. Reshje të forta parashikohen gjithashtu në Oaxaca, Colima dhe Jalisco.

Me erëra rreth 290 km/h, “Polo” është ndër stuhitë më të fuqishme të regjistruara në planet gjatë këtij viti.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu