
Tenori Ramë Lahaj, ish-ushtar i UÇK-së, iu është bashkuar qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e shtatë të protestës “Jo në emrin tim”.
Protesta po zhvillohet kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën e tij, Lahaj bëri thirrje për unitet dhe për ruajtjen e vlerave të UÇK-së, ndërsa një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të cilën tenori e këndoi së bashku me qytetarët.
Lahaj përsëriti gjithashtu Betimin e Ushtarit të UÇK-së përpara protestuesve të mbledhur në shesh, në një nga momentet simbolike të tubimit.
Protestat nisën pas vendimit të 16 shtatorit, kur trupi gjykues shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke dhënë ndaj tyre dënime që arrijnë në total 81 vjet burgim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar ndërkohë protesta të tjera të premten, duke nisur nga ora 17:00, në qytete të ndryshme të Kosovës.






