
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbrojtur planin e qeverisë për të kufizuar përqendrimin e nxënësve të huaj që nuk zotërojnë mirë italishten në të njëjtat klasa, duke sjellë si precedent vetë presidentin Sergio Mattarella.
Duke folur në emisionin “Porta a Porta”, Meloni tha se nuk i interpreton deklaratat e fundit të Mattarellës si kundërshtim ndaj nismës së qeverisë. Presidenti kishte theksuar se shkolla duhet të ndihmojë në kapërcimin e “getove” dhe jo në krijimin e tyre.
Meloni argumentoi se një shpërndarje më e ekuilibruar e nxënësve synon pikërisht shmangien e klasave ku fëmijët që nuk flasin italisht përqendrohen në numër të madh.
Kryeministrja kujtoi se kur Mattarella ishte ministër i Arsimit, në vitet 1989-1990, u nxorën qarkore që trajtonin shpërndarjen e nxënësve të huaj nëpër klasa. Një prej tyre rekomandonte që në të njëjtën klasë të mos kishte më shumë se pesë nxënës të të njëjtit grup gjuhësor.
Nisma aktuale e qeverisë Meloni parashikon një kufi prej 30%, ndërsa kriteri lidhet me nivelin e njohjes së gjuhës italiane dhe jo automatikisht me shtetësinë e nxënësve.
Çështja ka hapur debat politik në Itali. Opozita argumenton se qarkoret e kohës së Mattarellës dhe propozimi aktual nuk janë masa identike, ndërsa qeveria e paraqet shpërndarjen më të ekuilibruar si një mënyrë për të favorizuar integrimin dhe mësimin e gjuhës.






