Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone të forta për procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, ndalesa e parë e vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Hagë, Rama e përshkroi situatën si “një mort për së gjalli” dhe “një varrosje njerëzish të gjallë”, ndërsa foli edhe për atë që e cilësoi si pafuqi kombëtare përballë një situate ndërkombëtare që e kundërshton.

Kryeministri theksoi se respektimi i vendimeve të gjykatave është i padiskutueshëm, por sipas tij kjo nuk do të thotë që vendimet të pranohen në heshtje apo të mos kundërshtohen politikisht dhe publikisht.

“Problemi në këtë rast nuk është të mos respektosh vendimin e Gjykatës, po problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve në emër të popullit, kur vetë populli nuk e gjen asgjëkund veten në atë vendim”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa të qëndrojë në krah të Kosovës, ndërsa mënyra se si do të kundërshtohen zhvillimet në Hagë duhet të përcaktohet nga përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës.

Gjatë të njëjtit takim, Rama njoftoi gjithashtu se Shqipëria do të hapë së shpejti Konsullatën e Përgjithshme në Detroit, një kërkesë e përsëritur e komunitetit shqiptar në Michigan. Hapja e konsullatës është konfirmuar sot edhe nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Kryeministri ndodhet në SHBA për një vizitë disaditore, ndërsa pas Michiganit axhenda e tij vijon në Nju-Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu