
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja maksimale të shitjes së karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 19 shtator, në orën 16:00.
Sipas vendimit, nafta do të shitet me pakicë jo më shumë se 219 lekë për litër, nga rreth 229 lekë që tregtohej deri tani. Çmimi maksimal me shumicë është përcaktuar në 207 lekë për litër.
Ndryshimi më i madh është për benzinën. Çmimi maksimal me pakicë është vendosur në 195 lekë për litër, nga rreth 225 lekë që shitej më parë, ndërsa me shumicë do të jetë jo më shumë se 183 lekë për litër.
Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur mund të bëhen ndryshime të tjera në varësi të ecurisë së tregut.
Bordi u rikthye në funksion pas vendimit të qeverisë për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë janë të detyruar të zbatojnë çmimet e përcaktuara. Për shkeljet e konstatuara parashikohet deri edhe pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se masa synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.






