
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kundërshtuar kërkesën e opozitës për të tërhequr nga rendi i ditës projektligjin që lidhet me statusin dhe pagat e magjistratëve.
Balla tha se Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe se tashmë i takon seancës plenare të shprehet për projektligjin.
“Kërkesa juaj nuk mund të miratohet, sepse Këshilli i Legjislacionit është shprehur”, tha Balla, ndërsa e cilësoi “hipokrit” qëndrimin e demokratëve, duke argumentuar se fillimisht akuzuan mazhorancën për vonesa dhe tani kërkojnë shtyrjen e votimit.
Balla tha se mazhoranca do të votojë kundër kërkesës së PD-së dhe se projektligji do të diskutohet sot në Kuvend.
Ai iu drejtua gjithashtu Presidentit të Republikës, duke kërkuar bashkëpunim, nëse ligji miratohet të hyjë sa më shpejt në fuqi dhe, sipas tij, të zhbllokohet çështja e pagave të magjistratëve.
Fjala e plotë:
Zoti Kryetar, kolegë, Kuvendi i Shqipërisë të paktën prej vitit 1998 e më këndej ka një praktikë të konsoliduar sa i përket procedurës që ndjek në transpozimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar detyrën e vet në mënyrë shembullore; madje Gjykata Kushtetuese duhet të marrë shembull nga Këshilli ynë i Legjislacionit, sepse në rastin në fjalë, nëse Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin diku në mes të shkurtit të këtij viti, e ka zbardhur vendimin diku nga fundi i prillit i këtij viti, ndërkohë që Këshilli i Legjislacionit nën drejtimin e zonjës Bardeli në rastin në fjalë që vjen nga grupi juaj i parlamentar e bëri punën shumë shpejt dhe mirë, për t’ia ka lënë më pas Kuvendit, Kuvendi ia ka kërkuar opinionin e qeverisë dhe këtu është mbyllur. Pra, proceduralisht, kërkesa juaj nuk mund të miratohet, sepse Këshilli i Legjislacionit është shprehur. Dhe pastaj, në rastin në fjalë, shprehet seanca, do të shprehet seanca, është shprehur Komisioni i Çështjeve Ligjore, mua më vjen mirë dhe këtu e mbyll se koha është shumë e shkurtër, mua më vjen mirë të dëgjoj që Partia Demokratike del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ky është lajm shumë tejet pozitiv, sepse tregon një reflektim nga ato sharjet, kërcënimet, fyerjet që jemi mësuar të dëgjojmë shpesh. Prandaj ligji sot do të diskutohet, i bëni shpesh te dera e prokurorisë së posaçme, i kujtoni emrat e familjarëve, i kërcënoni, sot jemi këtu për të votuar një projektligj i cili në vlerësimin tonë është—
Kështu që vota jonë ndaj kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike është kundër, sepse kërkesa është hipokrite; na u tha që jemi vonuar, tani na thoni meqë jemi vonuar duhet ta shtyjmë. Ka diskordancë qëndrimesh në raport me detyrën që ka Kuvendi; e votojmë sot, dhe i bëj edhe thirrje presidentit të Republikës që ta… besoj të kemi dakordësinë për të hyrë në fuqi menjëherë dhe të zhbllokohen edhe pagat meqë është shqetësim dhe natyrshëm është shqetësim. Faleminderit.






