Partia Demokratike ka zgjedhur ditën e parë të vitit të ri shkollor për të sulmuar politikat e qeverisë në arsim. Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Lili Sula, deklaroi se sistemi arsimor është në gjendje të rëndë dhe se ky vit nis, sipas saj, me “katër mashtrime dhe projekte propagandistike”.

Pasi uroi nxënësit dhe mësuesit për nisjen e vitit të ri shkollor, Sula tha se PD mbështet shqetësimet e ngritura nga sindikatat e arsimit për sigurinë e vendit të punës, kushtet ekonomike të mësuesve dhe politizimin e sistemit.

Akuza e parë e PD-së lidhet me rezultatet e PISA 2025, të cilat Sula pretendon se janë manipuluar nga qeveria.

Në pikën e dytë, demokratët kundërshtojnë përdorimin e kamerave në kuadër të projektit Smart City, duke pretenduar se survejimi i fëmijëve në shkolla cenon liritë individuale dhe bie ndesh me legjislacionin vendas dhe konventat ndërkombëtare.

PD kritikon gjithashtu programin “Pas Shkolle”, duke thënë se zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë nuk shoqërohet me kushtet e nevojshme për ushqimin, mensat, kuzhinat dhe higjienën.

Akuza e katërt lidhet me Inteligjencën Artificiale. Sipas Sulës, qeveria flet për përdorimin e AI në shkolla, ndërkohë që institucionet arsimore nuk kanë infrastrukturën e nevojshme digjitale dhe mësuesit nuk janë trajnuar për teknologjinë e re.

PD ngriti gjithashtu shqetësimin për rënien e numrit të nxënësve dhe mbylljen e shkollave, të cilën e lidhi me emigrimin dhe shpopullimin.

Në përfundim, Sula deklaroi se Partia Demokratike angazhohet që, nëse vjen në qeverisje, ta rikthejë arsimin në një prioritet kombëtar dhe të rrisë statusin e mësuesit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu