Momente tensioni janë regjistruar këtë të shtunë në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik në zonën historike të qytetit.

Protestuesit tentuan të futeshin në kantier, por u ndaluan nga forcat e policisë. Ata kërkojnë pezullimin e punimeve, duke pretenduar se projekti prek godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, të lidhur me historinë e Pavarësisë dhe figurën e Ismail Qemalit.

Qytetarët theksuan se nuk kundërshtojnë ngritjen e Muzeut Hebraik, por vendndodhjen e zgjedhur, duke kërkuar që godina aktuale t’i kushtohet historisë kombëtare.

Pas protestës reagoi kryeministri Edi Rama, i cili akuzoi deputetin demokrat Bujar Leskaj dhe pjesëmarrësit se po përhapin pretendime të pavërteta për shkatërrimin e Muzeut “Labëria”.

Rama i cilësoi protestuesit “një grup delenxhinjsh” dhe përdori tone të ashpra ndaj Leskajt, duke shkruar se “çeta e Lesko pijanikut” e ka zakon të sulmojë kantieret e transformimit të Vlorës.

Kryeministri deklaroi se, me kërkesën e tij, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për projektin e restaurimit dhe transformimit të Muzeut “Labëria”. Sipas tij, godina e degraduar do të kthehet, së bashku me Muzeun Hebraik, në një tjetër pikë të rëndësishme historike dhe turistike të Vlorës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu