Ka dështuar sërish përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca e së premtes u ndërpre nga kryetarja Albulena Haxhiu, pasi procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve nuk arriti të përfundonte.

Këtë herë deputetët ranë dakord që kandidatët për nënkryetarë të votoheshin individualisht. Propozimi mori 71 vota pro.

Kandidatët ishin Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Emilja Rexhepi dhe Sllavko Simiç.

Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh nënkryetar me 100 vota pro. Ndryshe ndodhi me kandidaten e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila mori vetëm 44 vota dhe nuk arriti të zgjidhej.

PDK-së iu kërkua më pas të paraqiste një kandidat të ri, por shumica e deputetëve u larguan nga salla. Nga kjo parti qëndroi vetëm deputeti Mërgim Lushtaku, ndërsa Haxhiu njoftoi ndërprerjen e seancës.

Seanca kishte nisur me një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Të mërkurën, deputetët kishin rizgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, por procesi ishte bllokuar te mënyra e votimit të pesë nënkryetarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu